Fshati Buzmadhe në Kukës është tashmë i izoluar nga bora, ndërsa trashësia e saj ka arritur 50 centimetra. Rrugët kryesore janë të pakalueshme, duke e bërë lëvizjen thuajse të pamundur dhe duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e banorëve.
Banorët e zonës raportojnë se autoritetet lokale nuk kanë ndërhyrë ende për të hapur rrugët ose për të siguruar qarkullimin e nevojshëm. Situata bëhet veçanërisht kritike për familjet, fëmijët dhe të moshuarit, të cilët kanë nevojë për furnizime dhe shërbime të domosdoshme, por mbeten të braktisur.
Ngjarjet e fundit nxjerrin në pah jo vetëm neglizhencën e pushtetit lokal, por edhe mungesën e një plani emergjent për situata të tilla. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia Kukës, me borëpastruese për hapjen e rrugëve, duke siguruar qarkullim të sigurtë për banorët.
Kjo situatë e rëndë thekson nevojën urgjente për përgjegjshmëri dhe veprim konkret nga autoritetet vendore, të cilat deri më tani duken të papërgatitura për të përballuar emergjencat e dimrit.