Real Madrid ka pësuar një eliminim shokues nga Kupa e Mbretit, pasi u mposht 3-2 nga Albacete, skuadër e kategorisë së dytë spanjolle, në ndeshjen e vlefshme për fazën e 1/8-ave. Një mbrëmje dramatike që shënoi një fillim katastrofik të epokës Alvaro Arbeloa në stolin madrilen.
Vetëm pak ditë pas humbjes në finalen e Superkupës ndaj Barcelonës, Reali zhgënjeu sërish, duke u dorëzuar në minutat e fundit përballë një Albaceteje që lufton për mbijetesë në Segunda División.
Skuadra vendase kaloi e para në avantazh me Javi Villar pas një goditjeje këndi (42’), ndërsa Reali reagoi menjëherë falë Franco Mastantuono, i cili barazoi në shtesë të pjesës së parë (45+3’), duke shënuar golin e parë të epokës Arbeloa.
Megjithatë, pjesa e dytë ishte e vakët për madrilenët. Jefte Betancor, i futur nga stoli, shënoi golin e dytë për Albaceten në minutën e 81-të, duke ndezur stadiumin. Kur gjithçka dukej se po mbyllej, Gonzalo Garcia riktheu shpresën për Realin me golin e barazimit në minutën e 91-të.
Por drama nuk kishte mbaruar. Në minutën e 94-t, Betancor realizoi sërish, këtë herë me një parabël mbi Andriy Lunin, duke vulosur një fitore historike për Albaceten dhe eliminimin e bujshëm të Real Madridit.
Në këtë ndeshje, Arbeloa aktivizoi disa të rinj nga Castilla, por edhe yje si Vinicius Jr., Fede Valverde dhe Arda Güler. Ndërkohë, Mbappé, Bellingham dhe Rodrygo u lanë pushim.
Ky eliminim rëndon edhe më shumë situatën e Real Madridit, që tashmë ka humbur Superkupën dhe Kupën e Mbretit. Në La Liga, madrilenët kanë rënë pas Barcelonës, ndërsa shpresa e vetme për trofe mbetet Champions League, ku Reali është ende në garë.
Një javë kaotike për klubin më të titulluar të Evropës, ndërsa presioni mbi Arbeloan rritet që në hapat e parë të aventurës së tij si trajner i ekipit të parë.