Skenë e pazakontë: Kuajt bllokojnë trafikun në mes të Shkodrës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.01.2026, 22:19

Një skenë e pazakontë është regjistruar mbrëmjen e sotme në një nga zonat më të populluara të Shkodrës. Në lagjen "Perash", përballë 'Medresesë së Vajzave', qarkullimi i automjeteve është paralizuar për disa minuta, por këtë herë jo prej ndonjë aksidenti apo punimeve në rrugë.

Një tufë kuajsh pa pronarë kanë "pushtuar" rrugën kryesore, duke u kthyer në një shqetësim serioz për drejtuesit e mjeteve. Siç shihet edhe në pamjet e filmuara nga qytetarët, kafshët lëvizin lirshëm mes makinave, duke detyruar shoferët të ndalojnë plotësisht për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.

Dëshmitarët nga vendngjarja shprehen se kjo zonë është shumë afër qendrës së qytetit dhe prania e kafshëve të tilla në rrugë, veçanërisht gjatë natës, përbën një rrezik të lartë për sigurinë rrugore. Deri më tani, nuk dihet se kush janë pronarët e këtyre kafshëve, të cilët i kanë lënë të pashoqëruara në një aks kaq të rëndësishëm.

Kjo nuk është hera e parë që në rrugët e Shkodrës raportohen raste të kafshëve shtëpiake që qarkullojnë të lira, duke u bërë shkak për vonesa në trafik dhe duke dëmtuar imazhin e qytetit në zona kaq të frekuentuara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit