Një ish-futbollist shqiptar është dënuar me 22 muaj burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u zbulua se ishte i përfshirë në një fermë kanabisi në qytetin e Aberdeenit, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 170 mijë paundësh.
Bëhet fjalë për 31-vjeçarin Eugen Bualli, ish-mbrojtës futbolli, i cili u arrestua pasi gjurmët e gishtërinjve të tij u gjetën në një banesë në Union Grove gjatë një operacioni policor. Gjatë kontrollit, policia sekuestroi rreth 210 bimë kanabisi, të shpërndara në dy kate të ndërtesës.
Sipas autoriteteve, banesa ishte përshtatur posaçërisht për kultivim droge, me instalime ventilimi, prizë elektrike shtesë dhe pajisje të sofistikuara, duke e kthyer atë në një operacion të mirëorganizuar.
Prokurori Callum Gordon deklaroi në Gjykatën e Aberdeenit se policia kishte ndërhyrë më 21 prill të vitit të kaluar, pas informacioneve të marra më herët. Gjatë hetimit, Bualli u gjet në një banesë tjetër, ku iu sekuestruan 725 paund cash.
Në gjykatë, i pandehuri pranoi fajësinë për akuzën e prodhimit të një substance të ndaluar, konkretisht kanabis, raportojnë mediat britanike.
Avokati mbrojtës i Buallit deklaroi se klienti i tij kishte lënë Shqipërinë pasi ishte futur në borxhe që nuk arrinte t’i shlyente, duke u përballur me presion nga persona që i kishin dhënë hua. Sipas tij, Bualli ishte futur ilegalisht në Britani, i fshehur në një kamion, për t’i shpëtuar këtyre presioneve.
Më pas, sipas mbrojtjes, ai ishte njohur me një bashkëkombës në Londër, i cili i kishte ofruar punë në Aberdeen, duke i thënë se do të merrej vetëm me “ujitjen e bimëve”.
Gjykatësi Ian Wallace theksoi se, pavarësisht rrethanave personale, dënimi me burg ishte i pashmangshëm, duke e dënuar përfundimisht Buallin me 22 muaj heqje lirie.