Dyshohet se shiti armën për vrasjen e Liridona Ademajt: Gjykata e apelit në Kosovë ul dënimin për Tom Dodajn

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 14.01.2026, 19:58

Gjykata e Apelit të Kosovës ka vendosur të ulë dënimin ndaj Tom Dodajt, i akuzuar për shitjen e armës që dyshohet të jetë përdorur në vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.

Dodaj, i cili kishte pranuar fajësinë për shitjen e paautorizuar të armëve, ishte dënuar nga shkalla e parë në shkurt të vitit 2025 me pesë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Me vendimin e Apelit, dënimi u reduktua në tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Gjykata e Apelit e konsideroi dënimin e shkallës së parë si “të ashpër” dhe për uljen e tij mori parasysh disa faktorë: pranimin e fajësisë nga Dodaj, kërkimfaljen ndaj familjes së viktimës, si dhe faktin se ai nuk ishte në dijeni se arma që shiti do të përdorej për një vrasje.

“Gjykata vlerëson se rrethanat e tilla, duke përfshirë faktin se është hera e parë që i akuzuari shkel ligjin, lejojnë që qëllimi ndëshkimor të arrihet edhe me një dënim më të ulët”, tha Apeli, duke iu referuar nenit 38 të Kodit të Procedurës Penale.

Avokati i Dodajt, Agron Kuçi, deklaroi gjatë seancës se klienti i tij nuk njihte paraprakisht të pandehurit e tjerë dhe kuptoi për përdorimin e armës vetëm pas raportimeve në media mbi vrasjen e Liridona Ademajt.

Për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj po akuzohen tre persona: bashkëshorti i saj, Naim Murseli, si dhe Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla. Murseli dhe Kokalla kanë mohuar përgjegjësinë, ndërsa Plava nuk ka dhënë deklarim për fajësi.

Vrasja ndodhi më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Sipas aktakuzës, Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes me qëllim hakmarrjeje dhe përfitimi nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh. Ai dyshohet se premtoi shpërblim prej 30 mijë eurosh Kokallës dhe Plavës për kryerjen e krimit. Kokalla kishte lidhur kontaktet me Plavën, ndërsa Plava akuzohet se ka kryer vrasjen.

Ngjarja shkaktoi reagim të madh publik, veçanërisht për faktin se bashkëshorti i viktimës mori pjesë në varrim. Familja kërkoi zhvarrosjen e trupit për ta rivarrosur në varrezat e familjes Ademaj.

Që nga viti 2010, rreth 60 gra janë vrarë në Kosovë – shumica nga bashkëshortët e tyre. Organizatat për të drejtat e njeriut kanë kritikuar sistemin e drejtësisë për dënime të lehta, duke theksuar se kjo i inkurajon autorët e krimeve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit