Sekuestrohen mbi 6.8 tonë drogë në Venezuelë, Ministri Cabello: Pas aktivitetit është, mafia shqiptare që operon nga Ekuadori

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 14.01.2026, 19:35

Autoritetet venezueliane sekuestruan më shumë se 6.8 tonë lëndë narkotike në një operacion strategjik, duke e çuar totalin në 7.148 kilogramë drogë të kapura vetëm gjatë 13 ditëve të para të janarit. Lajmin e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Drejtësisë dhe Paqes, Diosdado Cabello.

“Sasia e sekuestruar në këtë operacion arrin në 6.850 kilogramë, duke e çuar totalin në 7.148 kilogramë drogë të kapura brenda pak ditësh,” deklaroi Cabello. Ai sqaroi se ngarkesa përbëhet kryesisht nga 238 thasë, që përmbajnë gjithsej 14.280 paketime droge.

Nga analiza e ngarkesës, rezulton se janë sekuestruar 6.758,66 kilogramë marihuanë, e ndarë në 14.199 paketime, si dhe 91,75 kilogramë kokainë, në 81 paketime.

Ministri Cabello theksoi se operacioni përbën një goditje të fortë ndaj pohimeve se Venezuela lehtëson trafikun e drogës. “As kokaina, as marihuana, asnjë drogë nuk kalon pa u ndaluar nga shteti,” tha ai.

Sipas ministrit, operacione të tjera janë në zhvillim në zonën e Zulias, ku në dy raste të ndara janë arrestuar gjashtë persona me dhjetëra kilogramë marihuanë. “Të dyja këto raste lidhen me atë që ne e quajmë mafia shqiptare që operon nga Ekuadori,” shtoi Cabello, duke theksuar se lufta kundër narkotrafikut është e vazhdueshme.

Cabello gjithashtu shpjegoi se mbyllja e rrugëve ajrore dhe detare ka detyruar grupet kriminale të përdorin rrugë tokësore, ku janë më të ekspozuara ndaj kontrolleve të shtetit. “Çdo sekuestrim është si t’i heqësh një këmbë tryezës së krimit të organizuar,” përfundoi ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit