Danimarka ka njoftuar se po rrit praninë e saj ushtarake në dhe përreth Groenlandës, në kuadër të stërvitjeve të zgjeruara ushtarake të NATO-s, mes retorikës gjithnjë e më të ashpër të presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e kontrollit të ishullit.
Ministria Daneze e Mbrojtjes bëri të ditur se në Groenlandë do të dislokohen avionë, anije ushtarake dhe trupa, përfshirë edhe forca nga vende aleate të NATO-s. Këto forca do të mbrojnë objektet kritike, do të ndihmojnë autoritetet lokale dhe do të përgatiten për mbërritjen e trupave të tjera aleate.
Sipas zyrtarëve danezë, stërvitjet synojnë forcimin e pranisë së NATO-s në Arktik dhe përgatitjen e trupave për operime në kushte ekstreme. Ministria kujtoi se prania ushtarake ishte forcuar edhe verën e kaluar, me ndihmën e Gjermanisë, Francës, Suedisë dhe Norvegjisë.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur Trump ka shtuar deklaratat për marrjen e kontrollit të Groenlandës, duke e cilësuar ishullin e pasur me minerale si jetik për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Në një postim në rrjetin Truth Social, ai shkroi se “çdo alternativë tjetër përveç kontrollit amerikan është e papranueshme”.
Nga ana tjetër, autoritetet daneze dhe aleatë të tjerë të NATO-s kanë refuzuar këto pretendime. Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi se populli i Groenlandës do të zgjidhte Danimarkën dhe jo SHBA-në.
Trump reagoi ashpër, duke thënë se nuk pajtohet me këtë qëndrim dhe se kjo “do të jetë një problem i madh”.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë amerikanë dhe një grup dypartiak ligjvënësish pritet të zhvillojnë takime dhe vizita zyrtare në Danimarkë në ditët në vijim, për të diskutuar situatën.