“Rruga e frutave”, 5 shqiptarë në Spanjë kapen me 200 kg kokainë në Portin e Vigos

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 14.01.2026, 16:49

Pesë shtetas shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet spanjolle nën dyshimet për trafik të lëndëve narkotike. Operacioni u zhvillua në Portin e Vigos, ku policia spanjolle, në bashkëpunim me Shërbimin e Mbikëqyrjes Doganore, sekuestroi rreth 200 kilogramë kokainë.

Sipas mediave spanjolle, sasia e drogës u zbulua brenda një kontejneri në një anije mallrash që mbërriti në orët e fundit në port. Anija kishte udhëtuar nga Amerika e Jugut dhe ishte pjesë e të ashtuquajturës “rruga e frutave”, një itinerar i njohur tregtar që shpesh shfrytëzohet edhe për trafik të paligjshëm.

Autoritetet kishin informacion paraprak dhe po monitoronin mbërritjen e anijes, duke dyshuar për praninë e një ngarkese të paligjshme, çka çoi në ndërhyrjen dhe sekuestrimin e drogës.

Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji në Portin e Vigos. Rreth një vit më parë, policia spanjolle bllokoi hyrjen e 1,250 kilogramëve kokainë të lidhur me mafian shqiptare. Droga kishte ardhur nga Ekuadori me anije kontejnerësh dhe në atë operacion u arrestuan nëntë persona, shqiptarë dhe belgë.

Hetimet për rastin e fundit vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbuluar rrjetin e plotë kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit