Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një problem serioz, i cili sipas tij rrezikon jo vetëm banorët e zonës së Mjedës, por edhe të gjithë udhëtarët që qarkullojnë në këtë aks rrugor.
Bëhet fjalë për një kioskë të vendosur mbi një kanal, e cila përbën një rrezik të përditshëm për drejtuesit e mjeteve. Pozicioni i saj pengon plotësisht fushëpamjen e shoferëve, duke e kthyer zonën në një pikë problematike për qarkullimin rrugor.
Sipas denoncuesit, mungesa e sinjalistikës rrugore, e kombinuar me praninë e kësaj kioske, është shndërruar në një “kurth” për drejtuesit e automjeteve, çka ka sjellë edhe disa aksidente në këtë zonë.
Qytetari thekson se banorë të shumtë kanë depozituar ankesa pranë bashkisë, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete, madje as nuk është dhënë një përgjigje zyrtare nga institucionet përkatëse.
Përveç rrezikut që paraqet për sigurinë rrugore, kioska është e vendosur mbi një kanal me mbeturina dhe aromë të pakëndshme, çka ngre shqetësime serioze edhe për kushtet higjieno-sanitare, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se aty tregtohen fruta dhe perime.