Mbrëmjen e kaluar, në aksin rrugor Tropojë–Valbonë kanë rënë gurë, duke e bërë qarkullimin të rrezikshëm për banorët dhe udhëtarët. Pavarësisht kalimit të orëve, deri më tani rruga nuk është pastruar dhe asnjë masë sigurie nuk është marrë, duke e lënë situatën në mëshirë të fatit.
Kjo vonesë tregon edhe një herë mungesën e reagimit të institucioneve përgjegjëse, të cilat duket se ndërhyjnë vetëm kur ndodh ndonjë aksident i rëndë. Një aks kaq i rëndësishëm, sidomos në prag të sezonit turistik, nuk mund të lihet pa monitorim dhe pa ndërhyrje të menjëhershme.
Banorët dhe turistët rrezikojnë jetën, ndërsa heshtja institucionale është e papranueshme. Kërkohet reagim urgjent, pastrim i menjëhershëm i rrugës dhe masa parandaluese, përpara se kjo neglizhencë të ketë pasoja më të rënda.