‘Shkëlqimi’ i Arbër Hoxhës josh Galatasaray-n, ofertë zyrtare për sulmuesin kuqezi

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 14.01.2026, 15:00

Galatasaray ka depozituar një ofertë zyrtare për sulmuesin shqiptar Arbër Hoxha, megjithatë Dinamo Zagreb nuk është e gatshme të hapë negociata për largimin e tij në këtë fazë të sezonit.

Sipas raportimeve nga mediat turke dhe kroate, kampionët e Kroacisë e konsiderojnë Hoxhën një pjesë kyçe të projektit sportiv dhe synojnë ta mbajnë në skuadër për pjesën pranverore të kampionatit. Brenda klubit vlerësohet maksimalisht kontributi i tij në gjysmën e parë të sezonit, ndërsa pritshmëritë janë që ai të vazhdojë të ketë një rol vendimtar edhe në vazhdim.

Edhe pse interesi i Galatasarayt është konkret, një transferim i menjëhershëm nuk shihet aktualisht si opsion realist. Burime pranë klubit kroat bëjnë me dije se Dinamo Zagreb do të ishte më e hapur ndaj një oferte nga Fenerbahçe, veçanërisht nëse ajo do të ishte pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë ku mund të përfshihej edhe portieri Dominik Livaković, aktualisht pjesë e klubit nga Stambolli. Çdo ndryshim i situatës pritet të ndodhë vetëm në rast se paraqitet një propozim financiar bindës përpara mbylljes së merkatos.

Arbër Hoxha po zhvillon një sezon pozitiv me fanellën e Dinamos, duke regjistruar 6 gola dhe 3 asistime në 17 paraqitje në kampionat. Me Kombëtaren shqiptare, 27-vjeçari numëron 21 ndeshje dhe 1 gol. Kontrata e tij me Dinamo Zagrebin është e vlefshme deri në qershor 2029, ndërsa vlera aktuale e kartonit të tij, sipas Transfermarkt, vlerësohet rreth 2.5 milionë euro.

Përveç Galatasarayt, interes për sulmuesin shqiptar ka shfaqur edhe Hull City. Dinamo Zagreb e transferoi Hoxhën në janar të vitit 2024 për një shumë të raportuar rreth 1 milion euro.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit