Arratisja e Ndocit në sy të policisë, shkarkohet drejtori i IEVP durrës! Po Qose, kur?

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 14.01.2026, 14:25

Është frimosur nga Ministria e Drejtësisë, shkarkimi i drejtorit të IEVP Durrës, Indrit Cërloj, pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci nga ambientet e spitalit ku ishte dërguar për kontroll mjekësor. Vendimi vjen si reagim i drejtpërdrejtë institucional ndaj një ngjarjeje të rëndë që ka vënë në pikëpyetje funksionimin e sistemit të sigurisë në burgje. Paralelisht me shkarkimin, Lamallari i ka kërkuar drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose, hartimin e një plani të ri për vlerësimin e rrezikshmërisë dhe rishpërndarjen e të paraburgosurve, përfshirë edhe transferime në institucione të sigurisë së lartë.

Arratisja e Altin Ndocit ka zbuluar një dështim serioz të zinxhirit komandues dhe të zbatimit të protokolleve bazë të sigurisë. Ndoci, i akuzuar për vepra të rënda penale, është shoqëruar për vizitë mjekësore pa pranga, në kundërshtim flagrant me rregullat në fuqi, duke u lënë praktikisht i lirë në një ambient publik. Verifikimet paraprake tregojnë se IEVP Durrës nuk ka raportuar as planifikimin dhe as realizimin e shoqërimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ndërsa procedurat standarde të sigurisë janë shpërfillur plotësisht.

Situata agravoi kur i paraburgosuri u largua nga spitali pas një përplasjeje me efektivët, ndërsa reagimi i forcave të sigurisë u konsiderua i vonuar dhe i paorganizuar. Për ngjarjen janë pezulluar të gjithë drejtuesit e zinxhirit komandues të IEVP Durrës dhe gjatë ditës së sotme janë arrestuar 8 punonjës të Policisë së Burgjeve. Ky skandal, që shkon përtej një gabimi individual, nxjerr në pah një problem sistemik të thellë dhe kërkon përgjegjësi reale, pasi raste të tilla përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë publike dhe minojnë besimin e qytetarëve te institucionet e shtetit.

Pas dështimit të shtetit dhe arratisjes së kriminelit Ndoci, a mjafton shkarkimi i drejtorit të IEVP Durrës? Po Klevis Qose, drejtori i përgjithshëm i Burgjeve nuk ka përgjegjësi në këtë skandal?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit