Ditën e djeshme, Policia e Shtetit festoi 113-vjetorin e krijimit të saj.
E themeluar më 13 janar 1913, Policia e Shtetit konsiderohet një nga institucionet kyçe për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në vend edhe pse vitet e fundit detyra dhe misioni i tyre lë shumë për të dëshiruar.
Ky 113-vjetor u përkujtua në të gjitha drejtoritë vendore dhe komisariatet si një ditë e shënuar dhe e rëndësishme për vendin dhe Komisariati i Mallakastrës organizoi një aktivitet festiv në ambientet e këtij institucioni ku morën pjesë efektivë dhe punonjës të policisë në detyrë, si edhe ish-punonjës të dalë në pension.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, si dhe efektivë të Policisë Bashkiake.
Ajo që bie në sy gjatë këtyre festimeve është prania e shisheve me pije alkoolike, jo vetëm një, por disa lloje të ndryshme. Efektivët e policisë kanë ngritur dolli mes tyre, ndërkohë që ishin të veshur me uniformat zyrtare dhe mbanin në duar gota me alkool.
Këto festime tregojnë një kontrast të qartë mes misionit serioz të Policisë së Shtetit dhe mënyrës sesi u shënua dita. Ndërsa institucionit i takon nderi për punën, sakrificat dhe përkushtimin në sigurimin e rendit dhe ligjshmërisë, aktivitetet e organizuara dukeshin më shumë si një rast social, me shishe alkooli dhe dolli mes efektivëve, sesa një reflektim mbi rëndësinë e misionit të tyre.