Oligarku do pallatin, askush nuk pyet për jetën e punëtorëve

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 14.01.2026, 14:20

Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë duke ngritur një shqetësim serioz dhe alarmant në lidhje me sigurinë e punëtorëve në kantieret e ndërtimit. Denoncimi shoqërohet me një video, e cila tregon qartë kushtet e rrezikshme në të cilat punojnë qindra punëtorë çdo ditë në vendin tonë.

Në pamjet e dërguara pranë redaksisë sonë, në një pallat në ndërtim, në katin e tetë, shihet një punëtor i cili kryen punën pa asnjë masë reale mbrojtëse. I vetmi mjet sigurie që ai mban është një kaskë në kokë, e cila në asnjë mënyrë nuk mund ta mbrojë nga pasojat fatale në rast rrëzimi nga skela apo nga lartësia.

Prej vitesh, sektori i ndërtimit renditet i pari për numrin e aksidenteve dhe vdekjeve në punë në Shqipëri. Pavarësisht kësaj statistike tragjike, punëtorët vazhdojnë të lihen në mëshirë të fatit, shpeshherë të pajisur vetëm me një kaskë, e në shumë raste edhe pa të. Mungesa e rripave të sigurimit, skelave të certifikuara dhe kontrollit teknik po i çon drejt fataliteteve të përsëritura.

Ndërkohë, kompanitë e ndërtimit, të drejtuara nga oligarkë të etur për fitime marramendëse, duket se i japin më shumë rëndësi përfundimit të pallateve sesa jetës së njerëzve që i ndërtojnë ato. Fitimi ka marrë përparësi absolute ndaj sigurisë dhe dinjitetit njerëzor.

Situata bëhet edhe më e rëndë nga mungesa e reagimit institucional. Qeveria dhe strukturat përgjegjëse për inspektimin e punës vijojnë të neglizhojnë rastet e denoncuara, duke mos ndërmarrë masa konkrete për parandalimin e tragjedive. Heshtja e institucioneve është po aq e rrezikshme sa edhe mungesa e pajisjeve të sigurisë në kantierë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit