Banorët e fshatit Kullas, në Ishëm të Durrësit, janë detyruar të marrin vetë situatën në dorë për të rregulluar rrugën e zonës së tyre. Siç shihet edhe në pamje, ata kanë siguruar materiale dhe po e shtrojnë rrugën me forcat e tyre, për shkak të mungesës totale të ndërhyrjes nga Bashkia e Durrësit.
Rruga, e cila prej vitesh ndodhet në gjendje të amortizuar, është kthyer në një problem serioz për lëvizjen dhe jetën e përditshme të banorëve. Banorët shprehen të revoltuar, pasi ndonëse paguajnë rregullisht taksat dhe detyrimet ndaj shtetit, nuk marrin asnjë shërbim në këmbim.
Sipas tyre, kërkesat e përsëritura drejtuar institucioneve kanë mbetur pa përgjigje, duke i lënë të harruar. Në mungesë të çdo reagimi zyrtar, ata janë detyruar të investojnë nga xhepi i tyre. Kjo situatë ngre pikëpyetje për vëmendjen e kryebashkiakes Emirjana Sako ndaj zonave periferike.
Banorët e Kullasit ndihen të braktisur dhe theksojnë se bashkia është në gjumë, ndërsa ata përballen çdo ditë me baltë, vështirësi dhe mungesë infrastrukture. Rasti i Kullasit është një tjetër dëshmi se premtimet dhe realiteti për qytetarët e këtyre zonave mbeten larg njëra-tjetrës.