Një qytetar ka denoncuar gjendjen tejet problematike në Qendrën Shëndetësore Nr. 2, e cila ndodhet në mes të qytetit të Fierit dhe u shërben rreth 23 mijë banorëve.
Sipas denoncimit, ambientet e qendrës janë në kushte të mjerueshme. Tualeti përdoret si dhomë për kryerjen e injeksioneve, ndërsa pacientë mbi 70 vjeç detyrohen të ngjisin tre kate për të marrë shërbim mjekësor. Në raste të shpeshta, mjeku është i detyruar të zbresë poshtë për t’i vizituar pacientët, pasi ata nuk kanë mundësi fizike të ngjiten.
Qendra ofron shërbime të rëndësishme si pediatria, patologjia, check-up-et, injeksionet, mjekimi i plagëve dhe urgjenca mjekësore, por kushtet aktuale, sipas qytetarit, nuk përputhen aspak me standardet minimale të shërbimit shëndetësor.
Denoncuesi thekson se Bashkia Fier dhe institucionet përgjegjëse shtetërore nuk kanë marrë asnjë masë, pavarësisht projekteve të premtuara që prej vitit 2019.
Ndërkohë, situata vijon të përkeqësohet.
Në ditët me reshje shiu, ambientet e brendshme mbushen me ujë dhe përdoren kova e legenë për të shmangur përhapjen e tij. Lagështira, myku dhe papastërtia janë të pranishme në të gjithë godinën, duke rrezikuar shëndetin e pacientëve dhe stafit mjekësor.
Qytetari kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se Qendra Shëndetësore Nr. 2, më e madhja në Fier, nuk mund të vijojë të funksionojë në këto kushte.
Denoncimi i qytetarit:
Mirmengjes nga qendra Shendetsore Nr 2 Fier Tualeti perdoret per dhom injeksionesh Pacient mbi 70 vjec detyrohen te ngjisin 3 kate per te mar sherbim dhe her her mjeku shkon posht i viziton pasi nuk munden t ngjiten dot...Bashkia ne gjume asnje nderhyrje.. Shteti po ashtu . Qendr shendetsore ne mes te qytetit t Fierit ne kushte te mjerueshme Vijn e ikin kta t bashkis projekti qe n 2019 n bashki Vazhdon m keq situata Me kova me legena uji kur bie shi Qendra me e madhe e Fierit me 23 mije banor perfshir pediatrin patolog chek up ..injeksione mjekim plage .urgjenca mjeku
