Arratisja e Altin Ndocit nga ambientet e spitalit ka zbuluar një tjetër dështim të rëndë të institucioneve të sigurisë në vend. Një person i akuzuar për vepra të rënda penale është shoqëruar nga policët e burgut të Durrësit të drejtuar nga Indrit Cërloj, nën varësi të drejtuesit të përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose.
Krimineli u dërgua për kontroll mjekësor pa pranga, në kundërshtim flagrant me çdo protokoll sigurie, duke u lënë praktikisht i lirë në një ambient publik. Ky veprim ngre dyshime serioze për neglizhencë, papërgjegjshmëri dhe mungesë totale profesionalizmi nga strukturat përgjegjëse.
Situata agravoi më tej kur Ndoci arriti të largohej nga spitali pas një përplasjeje me efektivët që e shoqëronin, ndërsa reagimi i forcave të sigurisë rezultoi i vonuar dhe i paorganizuar. Fakti që një i ndaluar me rrezikshmëri të lartë mund të arratiset kaq lehtë, tregon se sistemi jo vetëm që nuk garanton siguri, por as nuk është i përgatitur për situata emergjente që vetë i krijon.
Ky skandal nuk mund të kalojë thjesht me pezullime formale apo justifikime burokratike. Ai kërkon hetim të thellë dhe përgjegjësi konkrete në çdo nivel, pasi raste të tilla minojnë besimin e qytetarëve te shteti dhe ekspozojnë rrezik real për sigurinë publike. Nëse protokollet ekzistojnë vetëm në letër, atëherë problemi nuk është individual, por i sistemit.