Goditje rekord në Atlantik: Policia spanjolle sekuestron 10 ton kokainë të fshehur në ngarkesë kripe

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.01.2026, 01:21

Policia spanjolle ka realizuar sekuestrimin më të madh të kokainës në historinë e saj në det të hapur, duke kapur gati 10 tonë drogë të fshehur në një ngarkesë kripe në një anije mallrash që udhëtonte nga Brazili drejt Europës.

Sipas autoriteteve, operacioni u zhvillua në Oqeanin Atlantik, ku forcat speciale spanjolle të Njësisë së Operacioneve Speciale (GEO) hipën në bordin e anijes dhe zbuluan 9,994 kilogramë kokainë të kamufluar mes thasëve me kripë.

Gjatë ndërhyrjes, u arrestuan 13 anëtarët e ekuipazhit, ndërsa policia sekuestroi gjithashtu 294 pako me lëndë narkotike dhe një armë zjarri. Anija, e cila mbeti pa karburant pas operacionit, u tërhoq nga roja bregdetare drejt portit të Santa Cruz de Tenerife, në Ishujt Kanarie.

Pamjet e publikuara nga policia tregojnë momentin kur efektivët përdorin lopata dhe duar për të nxjerrë kokainën e fshehur nën kripë, duke formuar më pas një zinxhir njerëzor për transportimin e pakove drejt molit.

Operacioni ndërkombëtar, i koduar “White Tide”, u zhvillua në bashkëpunim me Qendrën për Analizë dhe Operacione Detare (MAOC), Agjencinë Amerikane kundër Drogës (DEA), Policinë Federale të Brazilit, Agjencinë Kombëtare të Krimit të Britanisë së Madhe, si dhe autoritetet në Francë dhe Portugali.

Sipas policisë spanjolle, kjo është goditja më e madhe detare ndaj trafikut të kokainës që prej vitit 1999, kur u sekuestruan 7.5 tonë drogë në një tjetër operacion historik, duke çmontuar një rrjet të madh trafikimi mes Spanjës dhe Kolumbisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit