Rruga “Pasho Hysa”, që zbret drejt rrugës kryesore të Ali Demit, ndodhet në një gjendje të rënduar, duke krijuar shqetësim të madh tek banorët dhe drejtuesit e automjeteve. Kalimet e shpeshta të kamionëve dhe mjeteve të rënda kanë shkatërruar asfaltin, duke e bërë të paqëndrueshme dhe të rrezikshme për qarkullim.
Situata bëhet akoma më serioze në këto ditë të ftohta, kur rruga mbetet e lagur dhe ka rrezik të kthehet në akull, duke rritur mundësinë e aksidenteve. Gropat e shumta dhe parkimet e pakontrolluara përkeqësojnë më tej qarkullimin, duke e bërë lëvizjen e makinave problematike dhe të rrezikshme për çdo qytetar që kalon aty.
Ndërkohë, çmimet e larta të objekteve në zonë, si projekti i ri i Nokia-s që arrin deri në 1,500 euro për metër katror, nuk korrespondojnë me gjendjen e infrastruktures rrugore, e cila mbetet e pazhvilluar dhe e neglizhuar.
Banorët e zonës kanë bërë thirrje të përsëritura për ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Tiranës për rikonstruksion dhe mirëmbajtje të rrugës, por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret. Pa ndërhyrje të menjëhershme, rreziku për aksidente serioze mbetet i lartë çdo ditë.
Qytetarët kërkojnë përgjegjësi dhe veprime konkrete nga Bashkia e Tiranës, për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të rrugës dhe për të garantuar sigurinë e njerëzve që kalojnë aty.