Scott Adams, karikaturisti amerikan dhe krijuesi i stripit satirik të njohur “Dilbert”, ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare, për shkak të një sëmundjeje kancerogjene. Lajmin e bëri të ditur ish-bashkëshortja e tij, Shelly Miles, gjatë një transmetimi live të podkastit të tij “Real Coffee with Scott Adams”.
“Dilbert” u publikua për herë të parë në vitin 1989 dhe u bë i njohur për mënyrën satirike se si përshkruante jetën në mjedise pune disfunksionale. Stripi u botua në mbi 2.000 gazeta në 65 vende të botës dhe u shndërrua gjithashtu në libra, një serial të animuar dhe një videolojë.
Në vitin 2023, disa media të mëdha amerikane, përfshirë Washington Post, e hoqën stripin nga botimi pas akuzave për komente raciste nga Adams. Karikaturisti mohoi akuzat, duke shpjeguar se deklaratat e tij ishin hiperbolike dhe nxjerrë jashtë kontekstit.
Gjatë karrierës, Adams fitoi çmimin prestigjioz Reuben Award në vitin 1997 nga Shoqata Kombëtare e Karikaturistëve. Në vitet e fundit, ai u përqendrua në shkrimin e librave motivues dhe tema të zhvillimit personal.
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ndaj lajmit të vdekjes, duke e cilësuar Adams si një figurë me ndikim të madh dhe një njeri që luftoi me guxim sëmundjen e tij.