Operatori i Blerjeve të Përqendruara drejtuar nga Arlinda Pogaj zhvilloi një nga tenderët më të ndjeshëm të shëndetësisë shqiptare, atë për trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve spitalore në rang kombëtar, me fond limit 493 MILION Lekë, para që dalin drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit.
Fitues u shpall ECO RICIKLIM shpk e oligarkut Klodian Allajbeu, me ofertë 485 MILION Lekë pa TVSH, me vetëm diferencë se fondi limit, një diferencë qesharake që praktikisht e zhvlerëson gjithë konceptin e tenderimit, pasi kur oferta përfundimtare është pothuajse identike me buxhetin maksimal të parashikuar, lind dyshimi i fortë se çmimi është ndërtuar jo nga tregu, por nga tavolina.
Shpallja e fituesit më 24 dhjetor, në ditët e fundit të vitit, ngre një tjetër flamur të kuq, pasi kjo është periudha kur procedurat zakonisht kalojnë pa vëmendje, pa debat dhe pa transparencë, duke i lënë qytetarët të mësojnë për to vetëm pasi kontratat janë firmosur dhe paratë janë praktikisht të angazhuara.
Kompania fituese rezulton se prej vitesh ka qenë e pranishme në një sërë kontratash në sektorë të ndryshëm të shëndetësisë, duke zgjeruar gradualisht ndikimin e saj nga shërbimet mbështetëse deri te fushat më kritike të sistemit, dhe tashmë edhe te menaxhimi i mbetjeve spitalore, duke e kompletuar ciklin e shërbimeve që lidhen me shëndetin publik.
Në këto kushte, pyetja që shtrohet nuk është më kush e fitoi tenderin, por si u ndërtua realisht kjo garë dhe pse në një tender kombëtar u paraqitën vetëm dy kompani, pse oferta fituese përkon pothuajse në mënyrë perfekte me fondin limit dhe pse shërbimet që lidhen me shëndetin po përqendrohen gjithnjë e më shumë në pak duar, ndërsa institucionet heshtin dhe qytetarët vazhdojnë të paguajnë.

Tenderi është shpallur me Flamur të Kuq për Mungesë Konkurrence teksa Allajbeu e ka krhyer këtë kompani në mjelësen e radhës të fondeve shtetërore.