Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 19-vjeçarit Pavlin Preka, i cili u ekzekutua më 26 shkurt 2025 në banesën e tij në fshatin Guci e Re, në Shkodër.
Sipas dëshmive të familjarëve për mediat, Pavlini ishte i fiksuar pas një vajze 13-vjeçare dhe kishte kërkuar miratimin e familjes së saj për martesë. Xhaxhai i viktimës ka treguar se rreth dy vite më parë kishte shkuar bashkë me të në familjen e vajzës për t’i kërkuar dorën, por kishte marrë një përgjigje negative për shkak të moshës së saj.
Familjarët deklarojnë se, ndonëse nga ana e tyre çështja ishte mbyllur, Pavlini nuk kishte hequr dorë dhe vazhdonte të shprehte hapur ndjenjat për vajzën, pavarësisht kundërshtimit të familjes së saj.
Nga hetimet paraprake rezulton se 19-vjeçari është qëlluar për vdekje me armë zjarri në prag të banesës së tij, ku janë gjetur disa gëzhoja pistolete. Ekspertët dyshojnë se viktima ishte ndjekur dhe qëlluar nga afër, çka sugjeron se autorët kishin dijeni për lëvizjet e tij.
Familjarët kanë deklaruar gjithashtu se ditën e ngjarjes Pavlini kishte shprehur synimin për të rrëmbyer vajzën, një plan për të cilin kishte vënë në dijeni të afërmit e tij. Mbetet ende e paqartë nëse vajza kishte dijeni apo ishte dakord me këtë veprim.
Sipas dëshmive, Pavlini nuk kishte precedentë penalë dhe nuk njihej si person problematik në zonë. Megjithatë, fiksimi i tij për vajzën ishte bërë i njohur edhe në fshat, përmes sjelljeve dhe veprimeve të vazhdueshme.
Grupi hetues vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të vrasjes, ndërsa deri më tani nuk ka një version zyrtar përfundimtar mbi autorët e krimit.