Siguracioni me tarifa të reja: Jo të gjithë do paguajnë njësoj

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 13.01.2026, 21:10

Sigurimi i detyrueshëm i automjeteve nuk do të ketë më një çmim të njëjtë për të gjithë drejtuesit. Duke nisur nga ky vit, tarifa do të llogaritet në bazë të historikut të dëmeve, përvojës së drejtuesit dhe karakteristikave të mjetit.

Drejtuesit e automjeteve me aksidente të përsëritura, të rinjtë pa eksperiencë dhe mjetet me fuqi të lartë motorike do të paguajnë më shumë për siguracionin. Ndërkohë, ata që kanë historik të pastër pa dëme, makinat e reja dhe automjetet me fuqi të ulët motorike do të përfitojnë ulje të primit të sigurimit.

Sipas faktorëve të riskut të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), çmimi final i sigurimit nuk përcaktohet vetëm nga dëmet e mëparshme. Një rol të rëndësishëm luan fuqia e motorit, ku automjetet me motor më të fuqishëm tarifohen më shtrenjtë.

Ndikim në kosto ka edhe mosha e drejtuesit. Grupmosha 18–21 vjeç, si dhe drejtuesit me deri në dy vite eksperiencë në drejtim mjeti, do të paguajnë prime më të larta krahasuar me drejtuesit me përvojë më të gjatë.

Një tjetër faktor është përdorimi i mjetit. Automjetet në pronësi të subjekteve tregtare paguajnë më shumë se ato në pronësi të individëve. Po ashtu, qarku i regjistrimit ndikon në tarifë, ku mjetet e regjistruara në qarqet Berat, Dibër dhe Kukës përfitojnë çmime më të ulëta.

Sipas AMF-së, vjetërsia e mjetit mbetet një element kyç në përllogaritjen e primit, pasi makinat e reja kanë kosto më të ulët sigurimi krahasuar me automjetet e vjetra.

Shoqëritë e sigurimit janë të detyruara të publikojnë në faqet e tyre zyrtare tabelat me koeficientët e riskut dhe shembuj konkretë për mënyrën e përllogaritjes së primit të sigurimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit