Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me arratisjen e Altin Ndocit nga Spitali Rajonal i Durrësit. Sipas mediave, efektivi i burgjeve që e ndoqi nga afër Ndocin në momentin e largimit, duke qëlluar edhe një herë në ajër, është i njëjti polic i përfshirë më herët në çështjen e telefonit të dhënë Erion Veliajt në furgonin e policisë.
Bëhet fjalë për një efektiv që rezulton të ketë dhënë dëshmi edhe në dosjen ku Veliaj akuzohet për futje të sendeve të ndaluara në ambientet e vuajtjes së dënimit, pasi gjatë transportit drejt SPAK i kishte vënë në dispozicion telefonin personal për disa komunikime.
Në dëshminë e tij, efektivi ka pranuar se telefoni është përdorur disa herë gjatë shoqërimit, para dhe pas seancave gjyqësore, si për telefonata ashtu edhe për lexim lajmesh. Ai ka deklaruar se veprimi është kryer nga frika dhe presioni që i shkaktonte pozicioni i personit që shoqëronte.
I njëjti efektiv është rikthyer sërish në vëmendje pas arratisjes së Altin Ndocit, ku sipas raportimeve mediatike, ai ka qenë ndër të parët që ka reaguar, duke e ndjekur të arratisurin me armë në dorë pas largimit nga spitali.
Roli i tij tashmë është në fokus të hetimeve, duke e vendosur në qendër të dy episodeve të bujshme që po hetohen nga drejtësia.