Një incident i rëndë ka ndodhur sot në Stamboll, ku një prokuror ka qëlluar me armë zjarri ish-partneren e tij, gjyqtare, gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore.
Ngjarja u regjistrua në ambientet e Gjykatës Rajonale të Apelit në Stamboll, në një sallë të mbushur me njerëz. Prokurori Muhammed Çağatay Kılıçarslan, 33 vjeç, hapi zjarr ndaj gjyqtares Aslı Kahraman, 45 vjeçe, duke e plagosur në këmbë.
Sipas mediave turke, pas të shtënës së parë, prokurori tentoi të rimbushte armën për të qëlluar sërish. Në atë moment, një i burgosur që punonte në gjykatë si kamarier çaji ndërhyri me guxim, duke e rrëzuar agresorin në tokë dhe duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të ngjarjes.
Gjyqtarja u transportua menjëherë në spital, ku mori ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime zyrtare bëjnë me dije se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, prokurori është arrestuar dhe ndaj tij ka nisur një hetim penal për veprën e “vrasjes së mbetur në tentativë”. Ai pritet të dalë para gjykatës ditën e mërkurë.
Raportimet për këtë ngjarje kanë risjellë në vëmendje edhe raste të tjera të rënda të dhunës në ambientet e drejtësisë, përfshirë vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në Shqipëri, i cili u qëllua për vdekje në sallën e gjyqit gjatë shqyrtimit të një çështjeje pronësie.