Mbi 2000 të vrarë në protesta, Trump thirrje iranianëve: Mos u ndalni, ndihma po vjen!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13.01.2026, 20:43

Situata në Iran po rëndohet çdo orë e më shumë. Sipas burimeve zyrtare dhe organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ky konsiderohet si një nga bilancet më tragjike në historinë e protestave kundër qeverisë islamike.

Një zyrtar iranian pranoi për agjencinë e lajmeve Reuters se numri i viktimave ka tejkaluar shifrën 2000. Ndërkohë, organizata amerikane HRANA bëri të ditur se ka verifikuar deri më tani vdekjen e 2003 personave, prej të cilëve 1847 raportohen si protestues. Mes të vrarëve, shifrat tregojnë një fakt tronditës: praninë e fëmijëve nën moshën 18-vjeç.

Në këtë klimë tensioni, ka reaguar edhe presidenti amerikan Donald Trump. Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Truth Social”, ai u bëri thirrje qytetarëve iranianë të mos tërhiqen, duke njoftuar njëkohësisht anulimin e të gjitha takimeve me zyrtarët e Teheranit.

“Ndihma është duke ardhur,” – përfundoi Trump mesazhin e tij.

Reagimet ndërkombëtare nuk kanë vonuar. Ambasadorët iranianë në disa vende europiane janë thirrur për sqarime, ndërsa Bashkimi Europian ka paralajmëruar sanksione të reja. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cilësoi bilancin e viktimave si “tronditës” për mbarë botën.

Përveç dhunës, vendi po përballet me një kolaps ekonomik pas rënies së fortë të monedhës dhe pasojave të mbetura nga lufta 12-ditore me Izraelin e vitit të kaluar, kohë kur SHBA goditi pika kyçe të programit bërthamor iranian.

Pavarësisht se autoritetet kanë ndërprerë internetin për të izoluar vendin, dëshmitarët raportojnë për një Teheran në flakë, me ndërtesa shtetërore të djegura dhe përleshje të vazhdueshme. Ndonëse presioni është i paprecedentë, ekspertët vlerësojnë se regjimi mbetet ende në këmbë, për sa kohë forcat e sigurisë nuk kanë shfaqur shenja çarjeje të brendshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit