Nga Ministria e së Vërtetës.
Policia ka sqaruar më në fund "zhdukjen" e të burgosurit nga dritarja e spitalit: Nuk ishte thyerje e ligjit, por thyerje e kalorive.
"E pamë që kërceu, po menduam se kishte parë orën dhe u kujtua që s'kishte bërë akoma kardio," tha një nga policët që po hante sanduiçin e dytë. "Ne jemi për jetën e shëndetshme, ndaj nuk deshëm t'i ndërprisnim vrapin."
Fair-Play: "Ai ishte me atlete, ne me çizme shteti. Nuk ishte garë e barabartë, ndaj vendosëm mos të bëhemi hileqarë."
Siguria e Spitalit: "Po të vraponim edhe ne nga pas, do tundoheshin edhe pacientët e tjerë dhe do kthehej spitali në pistë atletike."
Besimi te rregullorja: "Na tha 'u ktheva sa të bëj nja 5 km', dhe ne po e presim me kronometër në dorë."
Nga nesër, policët nuk do mbajnë më pistoleta, por shishe uji dhe peshqirë, që t'ua japin të burgosurve kur këta të fundit të hidhen nga dritarja për të bërë xhiron e radhës.
"Djali ishte sportist, nuk e mbanin muret," tha zëdhënësi. "Tani jemi në pritje që të mbarojë xhiron e fundit te Currilat dhe të kthehet të pijë ilaçet."