Shqipëria ka thyer një rekord negativ, duke u renditur si vendi i parë në rajon, i pesti në Europë dhe i shtati në botë për çmimin më të lartë të naftës. Aktualisht, në pikat e karburanteve, një litër naftë shitet mesatarisht me rreth 170 lekë, ose 2.09 dollarë me kursin aktual të këmbimit.
Në Ballkanin Perëndimor, pas Shqipërisë renditet Serbia, ku një litër naftë kushton rreth 1.92 dollarë. Ndërsa në Bosnje-Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut apo Kosovë, çmimi i karburantit është gati dy herë më i ulët krahasuar me Shqipërinë.
“Krahasuar me Kosovën, Maqedoninë apo Malin e Zi ka shumë diferencë. Jemi shumë më të shtrenjtë”, shprehen drejtues automjetesh, të cilët ankohen se çmimet janë të papërballueshme në raport me të ardhurat.
Në nivel europian, çmimin më të lartë të naftës e mbajnë Zvicra, Lihtenshtejni, Danimarka dhe Islanda, ndërsa Shqipëria renditet menjëherë pas tyre, duke lënë pas edhe shtete të pasura si Irlanda apo Monako. Në rang global, Hong-Kongu kryeson listën me mbi 3.56 dollarë për litër.
“Na ka ikur truri. Çmimet janë rritur shumë. Nuk është e këndshme, sidomos në krahasim me rrogat që marrim”, shprehen qytetarët.
Sipas ekspertëve, çmimi final i naftës përbëhet nga kostoja e blerjes në bursa ndërkombëtare dhe nga taksat e tarifat e vendosura nga qeveria. Aktualisht, çmimi i naftës së papërpunuar në bursë ka rënë në rreth 689 dollarë për ton, nga 750 dollarë që ishte një muaj më parë, ndërsa dollari vijon të zhvlerësohet. Në këto kushte, çmimet e karburanteve do të duhej të ishin më të ulëta.
“I bëjmë thirrje kryeministrit të hapë rafineritë që të ulet çmimi. Janë çmimet më të larta në vitet e fundit”, deklarojnë drejtues automjetesh.
Ndërkohë, pavarësisht çmimeve të larta, Shqipëria ka importuar më shumë karburant se kurrë më parë. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se gjatë periudhës janar–nëntor të vitit të kaluar, janë importuar mbi 671 mijë tonë karburant, një rekord historik për vendin.