Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë të pakëndshme me të cilën është përballur në doganën e Qafë Thanës, ku nuk është lejuar të kalojë kufirin.
Sipas tij, ndalimi është bërë nga oficeri i emigracionit për shkak se dokumenti i identifikimit (ID) që ai posedonte ishte i dëmtuar. Qytetari shprehet se, përveç ID-së, ai dispononte edhe patentë shqiptare si dhe dokumente gjermane që lidhen me qëndrimin e tij në Gjermani, por këto nuk janë marrë parasysh nga autoritetet kufitare.
Në mesazhin e dërguar në redaksi, qytetari shprehet se është ndjerë i paqartë lidhur me arsyetimin e dhënë, duke pretenduar se i është komunikuar vetëm fakti se dokumenti i identifikimit ishte i dëmtuar, pa iu dhënë një shpjegim më i detajuar me shkrim për situatën.
Ai shton se ka kërkuar që arsyeja e ndalimit t’i vihej në dokument zyrtar, por pretendon se nuk i është lejuar të filmojë ambientin e doganës dhe se nuk ka firmosur dokumentin e përgatitur, pasi sipas tij, nuk ishte dakord me përmbajtjen.
Në videon e dërguar në redaksi, qytetari shprehet se, pavarësisht se është shtetas shqiptar, posedon patentë shqiptare dhe dokumente gjermane, nuk është lejuar të udhëtojë drejt Gjermanisë, por i është thënë se mund të pajiset vetëm me dokument për t’u kthyer në Shqipëri.
JOQ Albania publikon këtë ankesë si një dëshmi qytetari, pa paragjykuar veprimet e autoriteteve kufitare, pasi rregullat për kalimin e kufirit dhe vlefshmërinë e dokumenteve përcaktohen nga legjislacioni në fuqi. Nëse ka paqartësi apo mosmarrëveshje, qytetarët kanë të drejtë t’i drejtohen institucioneve përkatëse për sqarim zyrtar.