Reali i Madridit veproi me shpejtësi dhe vetëm një ditë pas shkarkimit të Xabi Alonsos, zyrtarizoi trajnerin e ri të skuadrës së parë. Drejtimin e “Los Blancos” e ka marrë Alvaro Arbeloa, i cili deri më tani ishte në krye të Real Madrid Castilla.
Pas zhvillimit të seancës së parë stërvitore, Arbeloa u prezantua përpara mediave si trajneri i ri i ekipit madrilen. Në fjalët e para, ish-mbrojtësi theksoi emocionin dhe krenarinë për këtë rol të ri.
“Për mua është një nder i madh të jem këtu si trajner i klubit më të suksesshëm në histori. Kam pasur fatin ta jetoj Realin e Madridit si futbollist dhe si trajner i të rinjve për më shumë se 20 vite nga 43 të jetës sime. E di shumë mirë çfarë do të thotë të përfaqësosh këtë stemë dhe çfarë përgjegjësie sjell të fitosh me këtë fanellë”, u shpreh Arbeloa.
Trajneri i ri foli edhe për largimin e Xabi Alonsos, me të cilin ka ndarë momente të rëndësishme si lojtar, duke fituar së bashku trofe të shumtë, si dhe për emërimin e tij në pankinën madrilene.
“Vendimi i klubit m’u komunikua dje. Mua dhe Xabin na lidh një miqësi e fortë dhe patjetër që folëm. Kam një respekt dhe dashuri të madhe për të dhe kështu do të mbetet gjithmonë. Ishte shumë e bukur nga ana e tij të më uronte sukses”, shtoi Arbeloa.
Në fund, ai u ndal te skuadra që ka marrë në drejtim dhe potenciali që ajo zotëron. “Edhe Superkupa tregoi se kemi një ekip me shumë cilësi, ku shumë lojtarë janë kampionë me Realin e Madridit”, deklaroi Arbeloa, i cili do ta nisë aventurën e tij në pankinë me ndeshjen e Kupës së Mbretit ndaj Albacetes, një sfidë ku, sipas tij, gjithçka do të nisë nga e para për të gjithë.