Kamerat e sigurisë pranë Spitalit Rajonal të Durrësit kanë filmuar momentin e arratisjes së të burgosurit Altin Ndoci nga ambientet e institucionit shëndetësor. Në pamje shihet Ndoci duke u larguar me vrap nga spitali, ndërsa në oborr e priste një automjet tip Audi i bardhë, në të cilin ai hipi menjëherë për t’u larguar nga zona.
Sipas veprimeve të para hetimore, një prej efektivëve të policisë e ka ndjekur të arratisurin duke qëlluar një herë në ajër, pa arritur ta ndalojë. Burime policore bëjnë me dije se më herët Ndoci kishte kërkuar të shkonte në tualet dhe, në momentin që ka dalë, dyshohet se ka goditur me grusht një nga efektivët e shoqërimit, duke përfituar nga situata për t’u larguar me vrap.
Ndjekja e tij vijon, ndërsa policia po ushtron kontrolle në banesën e prindërve të Ndocit, si dhe në zona të tjera të dyshuara ku ai mund të jetë strehuar. Altin Ndoci akuzohet për disa ngjarje të rënda kriminale, mes tyre masakra e Bradasheshit dhe nga autoritetet cilësohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Policia ka intensifikuar operacionin për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa hetimet për rrethanat e arratisjes po vazhdojnë.