Ditën e sotme është arratisur nga reparti i Infektivit në Spitalin Rajonal të Durrësit i burgosuri Altin Ndoci, i cili prej vitit 2020 mbahej i izoluar në IEVP Durrës me urdhër të SPAK.
Ndoci ishte shoqëruar nga pesë efektivë të Policisë së Burgjeve, përfshirë edhe shoferin, për të kryer një vizitë mjekësore të planifikuar. Vizitat e të burgosurve realizohen në një sektor të posaçëm brenda Spitalit të Durrësit. Nga efektivët shoqërues, vetëm dy kanë hyrë në ambientet e spitalit, ndërsa tre të tjerët kanë qëndruar jashtë, pranë mjetit të transportit.
Sipas të dhënave paraprake, gjatë qëndrimit në spital, Altin Ndoci i ka kërkuar efektivëve që ta shoqëronin për në tualet. Pas daljes prej tij, ai ka goditur me grusht njërin nga punonjësit e Policisë së Burgjeve dhe është larguar me vrap nga kati i tretë i godinës, duke zbritur shkallët.
Dyshohet se arratisja ishte e mirëorganizuar. Në parkimin e spitalit, një automjet Audi A7 me ngjyrë të bardhë dhe targa AA700RS dyshohet se e priste, me të cilin është larguar në drejtim të Spitallës. Në momentin e arratisjes, Ndoci ishte i veshur me një xhup të zi.
Altin Ndoci u arrestua në korrik të vitit 2020 gjatë operacionit policor “Plumbi i Artë”, si i dyshuar për vrasjen e katër personave: vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës, si edhe të Anxhelo Avdijas dhe Dorian Shkozës.
Më 2 prill 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pushoi të gjitha akuzat ndaj Altin Ndocit, përfshirë edhe dyshimet për vrasjet e Anxhelo Avdijas dhe Dorian Shkozës, duke e shpallur atë të pafajshëm. Akuzat ndaj tij bazoheshin kryesisht në dëshmitë e Klevis Allës, të cilat gjykata nuk i konsideroi të mjaftueshme për dënim.
Nga ana tjetër, për vrasjen e dy vëllezërve Haxhiaj, Gjykata e Posaçme dënoi Klevis Allën me 25 vite burg.
Pavarësisht pafajësisë së shpallur në vitin 2024, Altin Ndoci nuk u lirua nga burgu, pasi SPAK ka ngritur akuza të reja ndaj tij, të bazuara në dëshmitë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili e implikon atë në disa ngjarje të rënda kriminale.