Arratisja nën hundën e shtetit! Ushtari i Çopajve qëlloi policin, Qosja: Nuk arritëm ta ndalonim

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 13.01.2026, 14:15

Arratisja e ushtarit të ‘Çopjave’ Altin Ndocit nga Spitali Rajonal i Durrësit ka nxjerrë sërish në pah dështimin flagrant të sistemit të shoqërimit dhe sigurisë së të paraburgosurve me rrezikshmëri të lartë.

Ndoci, i shoqëruar nga burgu i Durrësit për vizita mjekësore në repartin e infektivit, ka qëlluar efektivin e policisë që e ruante në dhomë dhe është larguar me vrap nga kati i tretë i spitalit, duke zbritur nëpër shkallë, pa u ndaluar nga askush.

Pavarësisht se ndodhej në një ambient që, sipas Drejtorisë së Burgjeve, “ka repart sigurie për të dënuarit”, i paraburgosuri ka arritur të largohet brenda pak minutash, duke e kthyer një vizitë mjekësore në një operacion arratisjeje të suksesshëm.

Në reagimin zyrtar, Drejtoria e Burgjeve me drejtues Klevis Qosen konfirmoi faktin, duke sqaruar se Altin Ndoci ishte në spital për vizita mjekësore dhe se, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme, “nuk u arrit ndalimi i tij”.

Deklaratë paraprake

Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Një deklaratë që, më shumë sesa shpjegim, shërben si pranim i hapur i dështimit! Një i paraburgosur për katër vrasje arrin të neutralizojë efektivin që e shoqëron dhe të largohet nga një strukturë shtetërore pa asnjë pengesë reale.

Ndërkohë që “strukturat janë vënë në lëvizje”, fakti mbetet i pandryshuar, i burgosuri është i lirë, polici është i qëlluar dhe sistemi i sigurisë ka dështuar plotësisht.

Ngjarja ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e shoqërimit, numrin e efektivëve, protokollet e sigurisë dhe përgjegjësinë zinxhir të institucioneve që duhet të garantonin që ushtari i Çopajve të mos arratiset.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit