Shkollat publike po ‘shtrydhin’ familjet: Uniforma dhe “kontribute” të detyruara për fëmijët

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.01.2026, 12:34

Denoncimet e prindërve për dështimin e Ministrisë së Arsimit, bashkive dhe drejtuesve të shkollave publike sa vijnë e shtohen, duke nxjerrë në pah një realitet shqetësues në institucionet arsimore: mungesë kushtesh minimale dhe kërkesa të vazhdueshme financiare ndaj familjeve.

Ditën e djeshme, redaksia jonë publikoi denoncimin e një prindi në qytetin e Kavajës i cili tregoi se në mes të dimrit, shkollat funksionojnë pa ngrohje, pavarësisht se kaldajat ekzistojnë. Nxënësit detyrohen të ndjekin mësimin në klasa të ftohta, ndërsa drejtuesit e institucioneve zgjedhin të mos i vënë pajisjet në punë për të kursyer fonde, në kurriz të shëndetit të fëmijëve.

Ndërkohë që në shkollën 9-vjeçare “Rilindja” në Kavajë, pas ankesave për mungesën e ngrohjes, drejtuesit e shkollës kanë kërkuar nga 35 euro për çdo prind për ndezjen e kaldajave. Një veprim që ngre pikëpyetje serioze për ligjshmërinë dhe përbën, sipas prindërve, një formë presioni financiar për një shërbim që duhet të garantohet nga shteti.

Duke marrë shkas nga ky denoncim, një nënë e cila kërkon të mbetet anonime për shkak të frikës për pasojat ndaj fëmijës së saj, ka denoncuar gjithashtu kërkesat e vazhdueshme për pagesa në shkollën 9-vjeçare “Jorgji Dilo” në Elbasan. Ajo shprehet se, si nënë e divorcuar me vështirësi të mëdha ekonomike, mezi arrin të përballojë shpenzimet mujore, ndërsa shkolla, sipas saj, vijon t’u kërkojë prindërve “kontribute vullnetare” që në praktikë janë kthyer në të detyrueshme.

Sipas denoncimit, këto pagesa fillimisht janë kërkuar me justifikimin e përmirësimit të shkollës, pavarësisht se ka një urdhër shtetëror që ndalon marrjen e kontributeve financiare nga prindërit. Më pas, në muajin dhjetor, drejtuesit e shkollës kanë gjetur një tjetër mënyrë për të kërkuar para, përmes vendosjes së uniformës shkollore me një çmim prej 2 500 lekësh, pa marrë parasysh mundësitë ekonomike të familjeve.

Prindërit shprehen se vendime të tilla merren pa konsultim dhe krijojnë presion social dhe psikologjik mbi fëmijët dhe familjet, duke e kthyer arsimin publik në një barrë financiare, në vend që të jetë një e drejtë e garantuar.

Rasti ngre shqetësime serioze për transparencën, menaxhimin e fondeve dhe përgjegjësinë institucionale në sistemin arsimor, ndërsa prindërit kërkojnë hetim, ndalim të praktikave abuzive dhe garantim të kushteve minimale për nxënësit.

Denoncimi i prindit:

Përshëndetje JOQ dua të bëj një denoncim për drejtoreshën e shkollës 9Vjeçare Jorgji Dilo Elbasan ,Ilda Nako. Un jam një nënë e divorcuar me vështirësi të mëdha ekonomike ku mezi arrij fundin e muajit, drejtoresha re qëkur ka ardhur ska ditur të ndali duke na kërkuar dhe marr lekë. E nisi me kontributin vullnetar ku u kthehet i detyrueshëm se nëse nuk e jep fillon e të shef msusja kujdestare e fëmijës shtrrembur ,kto lek u dhan me pretendimin për të rregulluar shkollën.

Shteti ka dhën urdhër që mos ti meret më prindërve ky kontribut me pretendimin nga për të rregulluar shkollën ku deri më tani kanë bër namin drejtorët e shkollave,se kush i ka kontrolluar se ku kanë ik lekët,dhe për ktë arsye shteti tha stop ,po kjo sdeshi ti a dinte.

Un nuk e di nr e saktë të nxënësve po ju them që është 1shkollë e madhe dhe ka shume fmi. Në dhjetor kjo zonja gjeti mënyrë tjetër si tna marri lek. Vendosja e uniformës.Me propozimin dhe mendimin e uniformës nuk kam asgjë përkundrazi po un e kam me çmimin që kjo na ka vendosur,2500mijë dhe nuk do tja dijë fare se kemi apo skemi.

Më thoni ju të marrësh me shumic aq është çmimi? Dhe do na i bëj fëmijët ngjyra ngjyra që çdo klasë do ket 1 ngjyrë të ndryshme mora vesh sdo jetë e gjithë shkolla çunat me blu dhe gocat me rozë Ju lutem ju lutem anonim se kam merak për fëmijët se jam e vetme dhe ktë mesazh nuk do e kisha dërguar po më ka vajtur aty ku nuk mbaj dot më

Ndërkohë, përfaqësues të këshillit të prindërve shprehen se kontributet financiare nuk kanë qenë të detyruara, por janë dhënë vullnetarisht pas diskutimeve mes prindërve. Sipas tyre, edhe vendimi për uniformën shkollore është marrë me dakordësinë e shumicës, duke pasur parasysh interesin edukativ të nxënësve dhe ndjeshmëri për familjet me vështirësi ekonomike.

"Kontributet e përmendura nuk kanë qenë të detyruara dhe as të imponuara nga drejtoria apo stafi i shkollës. Ato kanë ardhur si nismë e vetë prindërve, pas diskutimeve të hapura në grupet përfaqësuese të klasave dhe janë dhënë me dëshirë të lirë, pa presion dhe pa penalizim për familjet që nuk kanë pasur mundësi ekonomike. Po ashtu, vendimi për uniformën shkollore është marrë me dakordësinë e shumicës së prindërve, pas konsultimeve dhe shkëmbimit të mendimeve. Ky vendim ka pasur si qëllim promovimin e vlerave të disiplinës, barazisë, përkatësisë dhe përgjegjësisë, të cilat janë pjesë e rëndësishme e edukimit të fëmijëve tanë."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit