Kamerat e sigurisë të instaluara nga fqinjët kanë tradhtuar dy shtetas shqiptarë që po tentonin të kryenin një grabitje në një banesë në zonën e Mestre, në Venecia të Italisë. Autorët kishin shqyer dritaret dhe kishin hyrë brenda me stilin e ashtuquajtur “ninxha”, duke vjedhur bizhuteri dhe sende me vlerë.
Pamjet e kamerave inteligjente çuan në sinjalizimin e menjëhershëm të policisë, e cila ndërhyri me një operacion të befasishëm. Në momentin që dy shqiptarët po dilnin nga ballkoni për t’u hedhur në rrugë, ata u përballën me efektivët dhe u arrestuan pas një ndjekjeje të shkurtër.
Policia italiane bëri të ditur se ngjarja ndodhi në Rrugën “Terraglietto”, ndërsa të arrestuarit janë të moshave 31 dhe 37 vjeç. Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit për të dy, të cilët rrezikojnë një dënim nga 5 deri në 10 vite burg për grabitje të rëndë; ata njihen edhe për precedentë të mëparshëm penalë.