Përmbytjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të rënda edhe në fshatin Samaticë, në qarkun e Beratit, duke goditur drejtpërdrejt fermerët dhe prodhimin bujqësor. Banorët raportojnë se kulturat e mbjella janë shkatërruar plotësisht nga uji, ndërsa ndihma institucionale mungon.
Një fermer nga Samatica ka denoncuar situatën përmes një mesazhi drejtuar redaksisë, ku shprehet se prodhimi i domates është dëmtuar për herë të dytë. Sipas tij, përmbytjet u kanë marrë “mallin nga duart”, duke i lënë familjet pa të ardhura dhe pa asnjë garanci për rikuperim.
Fermeri shpreh zhgënjim ndaj mungesës së mbështetjes konkrete nga institucionet vendore dhe pamjet nga zona tregojnë parcela të mbuluara nga uji dhe bimë të kalbura, të papërshtatshme për treg.
Fermerët thonë se dëmet nuk janë vetëm në prodhimin aktual, por edhe në tokën bujqësore, e cila kërkon kohë dhe kosto të larta për t’u rikthyer në gjendje normale për mbjellje.
Samatica është një zonë me traditë në kultivimin e perimeve, ndërsa përmbytjet e përsëritura po vënë në rrezik serioz ekonominë e familjeve bujqësore. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente, vlerësim real të dëmeve dhe mbështetje financiare për të përballuar humbjet e shkaktuara nga moti ekstrem.
Denoncimi i qytetarit:
"Pershendetje joq ktu jemi ne fshatin samatice te Beratit ja dhe domatja qe kemi mbjelle hera e dyte qe na iken malli nga duart heren e pare bashkia dimal erdhi sa shkruajti emrin dhe kaq vetem fjal boshe"