Procesi gjyqësor i Gjykatës së Krimeve të Rënda kundër trafikantit shqiptar të drogës, Franc Gergely, alias Franc Çopja, 33 vjeç, që po zhvillohej në Bruksel, është pezulluar. Arsyeja e ndërprerjes nuk lidhet me kërkesa procedurale apo përjashtimin e gjyqtares, por me praninë e morrave të shtratit në sallën e gjyqit.
Çështja ka të bëjë me vrasjen brutale të Ardit Spahiut, e kryer në mes të ditës më 27 nëntor 2021, në një rrugë të Brukselit. Sipas Prokurorisë Federale, bëhet fjalë për një larje hesapesh mes dy klaneve mafioze, ndërsa shtatë persona po gjykohen në godinën “Justitia”, ish-ndërtesat e NATO-s në Evere.
Të hënën në mëngjes, një anëtar i jurisë vuri re se një morr shtrati i ishte ngjitur në krah. Pas pushimit të drekës, kryetarja e trupit gjykues vendosi pezullimin e seancës, me qëllim marrjen e masave të nevojshme.
“Kjo situatë shkon përtej çdo kufiri,” u shpreh gjykatësja Isabelle de Saedeleer, duke theksuar problemet e vazhdueshme me të cilat përballet sistemi i drejtësisë. “Nuk dua të vë në rrezik anëtarët e jurisë, avokatët, të pandehurit apo askënd tjetër.”
Gjykata u rekomandoi të gjithë personave të përfshirë që t’i lajnë rrobat në 60 gradë ose, alternativisht, t’i vendosin në frigorifer për dezinfektim.
Zhvendosja e procesit në një sallë tjetër rezulton e pamundur. Salla e gjykatës së jurisë në Pallatin e Drejtësisë në Bruksel, në sheshin Poelaert, nuk është e disponueshme, po ashtu edhe salla solemne e Gjykatës së Apelit. Ndërkohë, salla e jurisë në godinën gjyqësore të Nivelles është e mbyllur prej një viti për shkak të gjendjes së rënduar të ndërtesës.
Ndërtesa “Justitia” në Evere vazhdon të përdoret për zhvillimin e shumë proceseve të tjera gjyqësore.