Maska, paruke dhe grabitje vilash luksoze: Shkatërrohet banda e hajdutëve shqiptarë në Spanjë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.01.2026, 09:55

Garda Civile spanjolle ka shkatërruar një organizatë kriminale të specializuar në grabitje të banesave luksoze në provincën e Malagas, në kuadër të operacionit të koduar “Despropósito” (I Skandalshëm). Si rezultat i operacionit, janë arrestuar pesë persona dhe janë vënë nën hetim edhe 11 të tjerë, shumica me kombësi shqiptare.

Hetimi nisi pas denoncimeve për disa vjedhje me thyerje në vila luksoze. Sipas autoriteteve, anëtarët e bandës ndiqnin paraprakisht viktimat e tyre, të përzgjedhura mes individëve me të ardhura të larta, për të identifikuar adresat dhe më pas kryenin grabitjet. Gjatë veprimeve kriminale, ata përdornin maska dhe paruke prej lateksi për të fshehur identitetin dhe për t’iu shmangur zbulimit nga policia.

Gjatë hetimeve u zbulua se organizata dispononte disa prona në zonat Marbella dhe Mijas. Pas marrjes së urdhrave gjyqësorë, Garda Civile kreu kontrolle në këto banesa, duke arrestuar pesë anëtarë të bandës për grabitje banesash.

Nga kontrollet u sekuestruan tre armë zjarri, disa kuti me municione, dy automjete luksoze të vjedhura, shtatë targa të falsifikuara, disa ora luksoze nga marka prestigjioze, si dhe 39,465 euro para cash. Vlera totale e sendeve të sekuestruara tejkalon 80 mijë euro, të cilat janë kthyer tashmë pronarëve të ligjshëm.

Operacioni, i drejtuar nga oficerët e Stacionit të Gardës Civile të Mijas, vijon me hetimin e 11 personave të tjerë të dyshuar si pjesë e të njëjtës organizatë kriminale. Autoritetet theksojnë se koordinimi mes njësive policore ka qenë kyç për identifikimin dhe goditjen e rrjetit kriminal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit