Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Vlorë, pranë kryqëzimit të shkollës “Ali Demi”, në rrugën që lidh zonën me Bulevardin “Ismail Qemali”. Një automjet tip Benz, i drejtuar nga një i ri, është përplasur me disa mjete të tjera, duke shkaktuar panik në zonë.
Sipas informacioneve paraprake, makina ka përplasur pesë automjete njëra pas tjetrës, duke krijuar një aksident zinxhir. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, por janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në mjetet e përfshira.
Menjëherë pas ngjarjes, policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Qarkullimi në zonë ka qenë i kufizuar për disa minuta, deri në largimin e mjeteve të dëmtuara.