Përmbytjet dhe ngricat shkatërrojnë bujqësinë, humbje të rënda për fermerët

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.01.2026, 09:30

Përmbytjet e ditëve të para të vitit dhe ngricat e fundit i kanë shkaktuar një goditje të rëndë bujqësisë intensive në vend, duke dëmtuar prodhimin në fazë vjeljeje dhe fidanët e sezonit të hershëm në qarqet e Beratit, Lushnjës dhe Fierit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri dje ishin përmbytur rreth 13 mijë hektarë tokë bujqësore. Më të prekura janë zonat me bujqësi intensive të Myzeqesë, ku përmbytjet kanë goditur drejtpërdrejt fshatra të njohur për serat dhe prodhimin e hershëm, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në struktura, fidanë dhe tokë bujqësore.

Në territorin e Lushnjës, zonat Plug, Karavasta e Re dhe Krutje kanë qenë ndër më të goditurat. Uji ka hyrë në parcelat me sera plastike, duke i mbajtur për ditë të tëra nën ujë dhe duke dëmtuar prodhimin e perimeve të stinës së hershme. Këto zona kanë përqendrim të lartë serash dhe furnizojnë edhe eksportin.

Edhe në Fier, përmbytjet kanë prekur fshatra me traditë në kultivimin në sera, si Hoxhara, Suk 1 dhe Kallm i Madh. Fermerët pohojnë se uji ka mbuluar jo vetëm tokën bujqësore, por edhe rrugicat dhe kanalet, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e shpejtë për shpëtimin e prodhimit. Dëmet shtrihen edhe në përgatitjen e tokës për ciklin e ardhshëm të mbjelljeve.

Në qarkun e Beratit, fermeri Mariglen Ziu shprehet se përmbytjet kanë prekur veçanërisht fshatra pranë ultësirës dhe lumenjve, si Otllak, Velabisht dhe Kozare. Sipas tij, qëndrimi i zgjatur i ujit ka shkaktuar kalbje të rrënjëve, humbje të fidanëve dhe, në shumë raste, nevojën për të rifilluar ciklin e prodhimit nga e para. Ngricat e dy ditëve të fundit kanë dëmtuar gjithashtu bimët që nuk ishin nën ujë.

Dëme janë raportuar edhe në blegtori. Në zonat Banaj dhe Sheq të bashkisë Dimal janë humbur rezerva ushqimore dhe kanë ngordhur mijëra shpendë, ndërsa zonat e përmbytura ndodhen në emergjencë për ushqimin e bagëtive.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se zonat e përmbytura kontribuojnë rreth 65% të prodhimit të perimeve në vend dhe pothuajse 80% të eksporteve të prodhimeve të freskëta. Përveç dëmit në ekonominë e fermerëve, situata pritet të ndikojë negativisht edhe në çmimet me pakicë dhe në eksportet bujqësore, të cilat vitin e kaluar ishin i vetmi grup që ruajti rritjen.

Fermerët theksojnë se humbjet nga përmbytjet dhe ngricat tejkalojnë kapacitetin financiar të një familjeje bujqësore. Në mungesë të subvencioneve dhe skemave të sigurimit, ata mbeten të ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike, ndryshe nga vendet e BE-së ku një pjesë e primit të sigurimit mbulohet nga shteti.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit