Banorët e lagjes “Idriz Seferi” në Njësinë Bathore, Bashkia Kamez, po përballen prej rreth 15 ditësh me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Pavarësisht investimeve të bëra disa vite më parë, që përfshinin linja të reja elektrike, shtylla dhe një kabinë të re që furnizon rreth 100 shtëpi, problemi vazhdon të mbetet i pazgjidhur.
Sipas banorëve, nga tre fazat e kabinës, vetëm njëra fiket çdo ditë, zakonisht nga ora 15:00 deri në 18:00. Kohëzgjatja e ndërprerjeve varion, herë për një orë e gjysmë, herë për dy apo tre orë. Banorët shprehin dyshime se ndërprerjet mund të jenë të qëllimshme, duke aluduar se dikush në lagje mund të përdor një pjesë të rrjetit për aktivitete të dyshimta.
“Ky problem nuk ka asnjë logjikë teknike, fiket vetëm një linjë nga tre që ka kabina. Kemi familjarë të moshuar dhe fëmijë të vegjël, dhe në vitin 2026 kjo është absurde. Unë jetoj jashtë dhe nuk mund të bëj një denoncim direkt te OSHEE apo organet e tjera kompetente”, thotë denoncuesi.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga OSHEE dhe institucionet përgjegjëse. Ata shpresojnë që autoritetet të marrin masa konkrete për të rikthyer furnizimin normal me energji elektrike dhe për të garantuar sigurinë dhe jetesën e përditshme të banorëve.