Shqipëria ka pësuar humbje ekonomike që arrijnë në rreth 2.5 miliardë dollarë gjatë tre dekadave të fundit si pasojë e përmbytjeve. Këto të dhëna bëhen publike në një auditim të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili ka analizuar edhe përmbytjet e ndodhura gjatë vitit 2024 në qarkun e Vlorës.
Sipas KLSH-së, vetëm gjatë viteve të demokracisë vendi është përballur me kosto shumë të larta ekonomike, ndërsa theksohet se investimet parandaluese për mbrojtjen nga përmbytjet do të kishin qenë ndjeshëm më të ulëta sesa dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe masat riparuese pas tyre.
Auditimi evidenton se nga viti 1995 deri në vitin 2021 Shqipëria ka përjetuar tetë përmbytje të mëdha, gjatë të cilave janë shkatërruar rreth 15 mijë banesa dhe janë përmbytur mbi 85 mijë hektarë tokë. Përveç banesave, dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në bujqësi dhe blegtori, me mijëra hektarë tokë të mbjellë të dëmtuar, mijëra bagëti të ngordhura dhe qindra biznese të goditura.
Në raport theksohet gjithashtu se menaxhimi i ujërave është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të bllokimit të kanaleve kulluese dhe uljes së kapacitetit të hidrovorëve. KLSH paralajmëron se situata pritet të rëndohet edhe më tej për shkak të ndryshimeve klimatike, të cilat po shfaqen përmes fenomeneve ekstreme të motit.
Një tjetër problem serioz i evidentuar në auditim janë ndërtimet pa leje në zonat e infrastrukturës ujitëse dhe kulluese. Sipas KLSH-së, janë rreth 3,285 ndërtime pa leje që cenojnë drejtpërdrejt sistemet e mbrojtjes nga përmbytjet, duke rritur ndjeshëm rrezikun për zona të tëra.
Raporti nënvizon se rritja e investimeve dhe asistencës në këtë sektor është e pashmangshme, pasi në të kundërt situata do të përkeqësohet gradualisht. Paralelisht, edhe Ministria e Mjedisit, në Planin Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036, paralajmëron se Shqipëria rrezikon të humbasë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto nëse nuk ndërmerren masa në kohë ndaj kërcënimeve që vijnë nga klima.
Sipas këtij plani, për të shmangur humbje në përmasa të tilla nevojiten investime rreth 9.8 miliardë dollarë, të fokusuara në përmirësimin e sistemeve të kullimit, ndërtimin e argjinaturave dhe rezervuarëve, si dhe në përdorimin e teknologjive dhe sistemeve të informacionit për përballimin e ngjarjeve ekstreme.