Kontrolli teknik i automjeteve do të jetë i detyrueshëm edhe në rastet kur makina sapo ka kryer kontrollin periodik, nëse ndërkohë ndryshon pronari. Ky ndryshim parashikohet në një udhëzim të ri të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili është publikuar në Fletoren Zyrtare.
Sipas udhëzimit, çdo mjet duhet t’i nënshtrohet kontrollit teknik pas transferimit të pronësisë, pavarësisht datës së kontrollit të fundit. Po ashtu, kontrolli do të jetë i detyrueshëm edhe kur mjeti ka përshkuar 160 mijë kilometra, edhe nëse afati i zakonshëm i kontrollit periodik nuk ka përfunduar.
Më herët, rregullorja i jepte autoritetit kompetent të drejtën të kërkonte kontroll teknik përpara afatit vetëm në raste të veçanta, si aksidentet që preknin komponentët kryesorë të sigurisë, përfshirë rrotat, sistemin e drejtimit, frenat, suspensonin, zonat e deformimit apo sistemet airbag. Kontrolli mund të kërkohej gjithashtu në rast modifikimesh në sistemet e sigurisë ose të mbrojtjes së mjedisit, apo kur konstatohej rrezik për sigurinë rrugore.
Me hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri, detyrimi për kontroll teknik shtrihet edhe në rastet e ndryshimit të pronarit, me synimin për të rritur sigurinë rrugore dhe transparencën në tregun e automjeteve të përdorura.
Gjithashtu, udhëzimi parashikon përdorimin e platformave elektronike të Bashkimit Evropian për shkëmbimin e informacionit mbi certifikatat e kontrollit teknik, leximin e odometrit dhe historikun e aksidenteve. Ky sistem pritet të përmirësojë monitorimin dhe transparencën si për inspektorët, ashtu edhe për pronarët e mjeteve dhe ekspertët e sigurisë rrugore.