Bela: “Nuk shkoj dot në burg, kam ende shirita për të prerë”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 12.01.2026, 21:28

Nga Ministria e së Vërtetës.

Ndërkohë që SPAK numëron dosjet, Belinda Balluku ka vendosur të numërojë daljet në TV, duke vërtetuar se për të, kërkesa për arrestim është thjesht një "zhurmë sfondi" si zhurma e fadromave në kantier.

Zëvendëskryeministrja u shfaq sot në konferencën e radhës, ku me një buzëqeshje që thoshte "unë jam akoma këtu dhe ju jo", shpjegoi se si populli duhet të jetë mirënjohës që ajo po sakrifikon lirinë e saj për t'u treguar sesi asfaltohet në shi.

"E kuptoj që SPAK ka dëshirë të më shohë pas hekurave, por a e kanë parë ata agjendën time?" tha Balluku duke rregulluar flokët para kamerave. "Kam mbledhje qeverie, kam inaugurime, kam konferenca për sukseset imagjinare. Burgu është për njerëzit që kanë kohë të lirë, unë kam koncesione për të mbaruar."

Për t'u treguar shqiptarëve se kush e ka vërtet timonin, ajo deklaroi se deri në momentin që Kuvendi të vendosë për imunitetin e saj, ajo do të dalë në çdo ekran, në çdo portal dhe ndoshta edhe në ëndrrat e prokurorëve, vetëm për të dëshmuar se ligji në Shqipëri është si rrugët që ajo ndërton: ka gjithmonë një rrugë dytësore për t'i ikur përgjegjësisë.

Sipas burimeve brenda qeverisë, Balluku po përgatit një projektligj të ri ku "dalja në media" të konsiderohet si kohë e shlyer në paraburgim. "Nëse populli më sheh 24 orë në ditë në TV, kjo është njëlloj si të jem në izolim, apo jo?" thuhet të ketë biseduar ajo me kolegët teksa qeshte me kërkesën e SPAK.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit