“Vallja e dritave”, banorët festojnë rikthimin e energjisë pas 3 ditësh në errësirë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.01.2026, 21:39

Në fshatin Bardhaj të Rrajcës, një shërbim bazik është kthyer në event festiv, duke prodhuar skena që të kujtojnë Shqipërinë e dekadave të shkuara. “Vallja e dritave” nuk është një traditë, por reagimi i banorëve të cilët, pas 72 orëve në terr të plotë, kanë zgjedhur muzikën dhe vallen për të “përshëndetur” rikthimin e energjisë elektrike.

Ndërsa kryeministri Edi Rama na siguron me bindje se në vitin 2030 Shqipëria do të jetë pjesë e BE, realiteti në terren vazhdon të na kthejë me shpejtësi 20 e ca vite pas, aty ku ardhja e energjisë elektrike trajtohet si festë kombëtare.

Siç shihet dhe në video, banorët kanë dalë jashtë duke kërcyer dhe marrë vallen, jo për ndonjë dasmë, por sepse u kthyen dritat pas tre ditësh mungesë. Po, në vitin 2026, në një vend që aspiron BE-në, energjia elektrike festohet si luks.

Kur shteti mungon, qytetari gjen mënyrën më të dhimbshme për të folur: me tallje. Imagjino ku ka shkuar puna në Shqipëri, që njerëzit të gëzohen jo sepse u përmirësua jeta, por sepse u rikthye një shërbim bazik, që në Europë as nuk diskutohet, sepse thjesht ekziston.

Ndërkohë që në Tiranë flitet për integrim dhe standarde europiane, në zonat rurale njerëzit presin me ditë të tëra për drita, sikur të ishim në vitet ’90. Dhe kur ato vijnë, nuk vjen ndonjë sqarim apo ndjesë, vjen vetëm vallja e ironisë. Banori që dërgoi videon shkruan shkurt, por thotë gjithçka:

“Në fshatin Bardhaj të Rrajcës po festojmë ardhjen e dritave pas mungesës 3-ditore.”

Ky është realiteti i zhveshur nga propaganda. Një Shqipëri ku mungesa e dritave normalizohet, ndërsa ardhja e tyre kthehet në event. Një vend ku qeveria flet për 2030-ën, por qytetarët jetojnë me orare, errësirë dhe pritje. Ndoshta ky është integrimi ynë unik: BE gjatë ditës në fjalime, errësirë gjatë natës në fshatra.

JOQ Albania publikon këtë video jo për të qeshur, por për të kuptuar sa tragjikisht bukur dinë shqiptarët të ironizojnë një realitet që nuk duhet të ekzistonte më prej dekadash. Nëse ky quhet progres, atëherë vallja në errësirë është himni i ri i zhvillimit shqiptar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit