Neglizhenca që vret/ Pronarët i lënë në rrugë, institucionet nuk i kontrollojnë: Aksidentet nga kafshët po kthehen në tragjedi

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 12.01.2026, 21:03

Rastet e aksidenteve rrugore të shkaktuara nga kafshët endacake apo të lëna pa kontroll po shtohen në mënyrë shqetësuese në mbarë vendin. Një fenomen që prej vitesh është denoncuar nga qytetarët, por që duket se vazhdon të injorohet nga institucionet përgjegjëse, duke u kthyer në një rrezik real për jetën e drejtuesve të automjeteve por dhe kafshët të cilat shpesh herë janë viktima të ktyre ngjarjeve.

Vetëm gjatë muajit të fundit, në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur të paktën 20 raste aksidentesh rrugore, të shkaktuara nga kafshë të ndryshme si kuaj, gomerë, lopë, dele, dhi, qen apo mace. Në shumë prej këtyre rasteve, shoferët kanë shpëtuar nga tragjedia, ndërsa dëmet materiale kanë qenë të konsiderueshme.

Mbrëmjen e djeshme, një tjetër episod i rrezikshëm është shënuar në Shkodër, ku një automjet ka përplasur dy kuaj që ndodheshin në rrugë. Ngjarja ka ndodhur në errësirë, duke e bërë pothuajse të pamundur shmangien e aksidentit. Sipas burimeve, kuajt kanë qenë të lënë të lirë në rrugë ndërsa drejtuesi i mjetit i ka marrë para.

Ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një problemi të madh që prek pothuajse çdo qark të Shqipërisë, veçanërisht zonat rurale dhe akset kombëtare. Mungesa e kontrollit të kafshëve, neglizhenca e pronarëve, por edhe mosreagimi i bashkive, policisë rrugore dhe institucioneve përkatëse, po e kthejnë këtë situatë në një bombë me sahat.

Kush mban përgjegjë kur një kafshë del në rrugë dhe rrezikon jetën e njerëzve? Pse nuk ka masa konkrete, gjoba apo kontrolle për pronarët që i lënë kafshët të lirë? Pse mungon sinjalistika dhe ndërhyrja në zonat problematike?

Ndërkohë që drejtuesit e mjeteve paguajnë taksa, dhe përballen çdo ditë me rreziqe të shumta në rrugë, institucionet përgjegjëse duket se mbyllin sytë, duke reaguar vetëm pasi ndodh e keqja.

JOQ Albania i bën thirrje autoriteteve që të marrin masa urgjente për këtë problem, kontroll të kafshëve, përgjegjësi ligjore për pronarët, patrullime dhe sinjalistikë në akset më problematike. Përndryshe, këto ngjarje do të vazhdojnë të përsëriten dhe herët a vonë, pasojat mund të jenë fatale.

Pyetja mbetet: a do të veprojnë institucionet, apo do të presin tragjedinë e radhës?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit