Xabi Alonso largohet nga Real Madrid pas humbjes me Barcelonën, Arbeloa merr drejtimin e “Galaktikëve”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.01.2026, 18:42

Real Madrid dhe Xabi Alonso kanë ndarë rrugët pas vetëm shtatë muajsh bashkëpunim, pas humbjes dramatike ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës.

Klubi madrilen e konfirmoi lajmin përmes një deklarate zyrtare, ku bëhet e ditur se largimi ka ardhur me marrëveshje të përbashkët mes palëve.

Xabi Alonso u emërua trajner i Real Madrid më 25 maj 2025, pas një periudhe shumë të suksesshme në Gjermani me Bayer Leverkusen, ku arriti të rrëzonte Bayernin nga froni dhe t’i jepte fund dominimit 11-vjeçar në Bundesliga. Megjithatë, pritshmëritë e mëdha në “Bernabeu” nuk u përmbushën plotësisht.

Humbja 4-3 (apo 3-2 sipas burimeve) ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës, e zhvilluar në Arabinë Saudite, duket se ishte goditja e fundit për trajnerin bask. Aktualisht, Real Madrid ndodhet katër pikë pas Barcelonës në La Liga, ndërsa në renditjen e Champions League pozicionohet vetëm në vendin e shtatë.

Në deklaratën zyrtare, klubi shprehet:

“Real Madrid CF njofton se, me marrëveshje të përbashkët mes klubit dhe Xabi Alonsos, është vendosur t’i jepet fund angazhimit të tij si trajner i ekipit të parë. Xabi Alonso do të ketë gjithmonë dashurinë dhe admirimin e madrilenëve, pasi është një legjendë e Real Madrid dhe ka përfaqësuar gjithmonë vlerat e klubit. Real Madrid do të jetë gjithmonë shtëpia e tij.”

Gjatë qëndrimit të tij, Alonso e nisi mirë aventurën në krye të madrilenëve, duke arritur gjysmëfinalet e Kupës së Botës për Klube dhe duke regjistruar 13 fitore në 14 ndeshje. Por gjithçka ndryshoi në muajin nëntor, pas humbjes në Champions League ndaj Liverpoolit, moment që shënoi edhe rënien e performancës së ekipit.

Rezultatet e paqëndrueshme në vijim dhe humbja e fundit ndaj Barcelonës përshpejtuan vendimin për largimin e tij, vetëm 232 ditë pas marrjes së detyrës.

Menjëherë pas konfirmimit të largimit të Alonsos, Real Madrid njoftoi edhe pasuesin e tij. Alvaro Arbeloa është emëruar trajner i ri i ekipit të parë. Ish-mbrojtësi i njohur i Realit dhe i kombëtares spanjolle ka drejtuar ekipin rezervë të klubit që prej qershorit 2025 dhe më herët ka punuar për rreth pesë vite në akademinë e klubit.

Arbeloa ka qenë pjesë e Real Madrid si lojtar nga viti 2009 deri në 2016, duke fituar dy Champions League, një titull La Liga, dy Kupa të Mbretit, si dhe trofe të tjerë madhorë. Me Spanjën, ai ka triumfuar në Botërorin 2010 dhe dy Kampionate Europiane.

Real Madrid hyn kështu në një kapitull të ri, në një sezon të tensionuar ku presioni për rezultate mbetet maksimal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit