“Në borë e shi, në krye të detyrës”, punonjësit e OSHEE: Na janë mbajtur deri në 100 mijë lekë nga rroga, orët shtesë s’na i paguajnë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.01.2026, 18:19

Në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur disa denoncime nga punonjës të OSHEE në qytete të ndryshme të vendit, të cilët pretendojnë se nga paga e muajit dhjetor u janë mbajtur 8.000 deri në 10.000 lekë të reja, pa asnjë njoftim apo shpjegim paraprak.

Sipas denoncimeve, kjo situatë është konstatuar nga punonjës në Lezhë, Elbasan, Librazhd dhe zona të tjera. Punëtorët shprehen të indinjuar, pasi theksojnë se jo vetëm që pagat u janë ulur, por edhe se orët shtesë dhe gadishmëritë nuk u paguhen, pavarësisht ngarkesës së jashtëzakonshme në punë gjatë festave dhe ditëve me mot ekstrem.

Një punonjës nga Lezha shkruan se paga e dhjetorit ka ardhur me vonesë dhe me rreth 10 mijë lekë të reja më pak, pa asnjë sqarim nga drejtuesit. Sipas tij, kjo mbajtje është bërë për çdo punonjës dhe nuk dihet arsyeja e saj, duke theksuar se viti 2026, në vend që të niste me rritje page, ka nisur me ulje.

Një tjetër denoncim vjen nga një elektricist nga Librazhdi, i cili shprehet se që nga data 25 dhjetor punojnë deri në orët e vona të natës, pa pushime dhe pa festuar Vitin e Ri me familjet. Ai pretendon se orët shtesë nuk u paguhen pothuajse kurrë, ndërsa për Vitin e Ri nuk është dhënë as pagesa e gadishmërisë. Sipas tij, në disa raste u janë mbajtur deri në 150 mijë lekë të vjetra nga paga, ndërkohë që shkojnë në punë me makinat e tyre dhe karburantin e paguajnë nga xhepi.

Një punonjës tjetër i OSHEE në terren në Elbasan shprehet se nga paga e dhjetorit i janë mbajtur 8.000 lekë të reja, pa paralajmërim dhe pa shpjegim, duke e cilësuar këtë veprim si arbitrar dhe fyes për punonjësit që rrezikojnë jetën çdo ditë. Ai thekson se gadishmëria nuk është paguar, ndonëse kanë punuar me dy turne, në kushte të vështira, me shi, përmbytje dhe borë.

Punonjësit theksojnë se puna e tyre nuk është zyrë, por punë në terren, me rrezik real për jetën, lodhje fizike dhe stres të vazhdueshëm. Sipas tyre, çdo orë gatishmërie është sakrificë larg familjes, pa pushim dhe shpesh pa siguri, dhe megjithatë kjo sakrificë jo vetëm që nuk vlerësohet, por ndëshkohet me mbajtje page.

Në ditët e fundit, punonjësit e OSHEE kanë qenë në vijën e parë përballë përmbytjeve, reshjeve të dendura të shiut dhe borës, duke punuar në kushte ekstreme për të garantuar furnizimin me energji elektrike. Denoncuesit pyesin publikisht: si ka mundësi që në një situatë të tillë, në vend të vlerësimit dhe shpërblimit, t’u ulen pagat dhe t’u mohohen orët shtesë?

JOQ Albania publikon këto denoncime për t’u bërë zëri i punonjësve, duke i bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të japin një sqarim zyrtar mbi këto pretendime dhe të trajtojnë me dinjitet njerëzit që mbajnë në këmbë një nga shërbimet më jetike të vendit.

Nëse edhe punonjës të tjerë të OSHEE apo institucioneve të tjera përballen me situata të ngjashme, redaksia jonë mbetet e hapur për çdo denoncim, edhe në mënyrë anonime. Heshtja, siç thonë vetë punonjësit, nuk është më zgjidhje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit