Një tjetër denoncim alarmant mbi dështimin e thellë të Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve vartëse ka mbërritur në redaksinë tonë, duke ekspozuar edhe një herë paaftësinë, papërgjegjshmërinë dhe indiferencën ndaj shëndetit të fëmijëve.
Rasti i bërë publik nga një prind në qytetin e Kavajës është i tillë që, në çdo vend normal të botës, do të përbënte arsye për hetim dhe përgjegjësi institucionale. Në mes të dimrit, kur temperaturat janë ekstremisht të ulëta dhe i ftohti depërton kudo, shkollat e qytetit funksionojnë pa ngrohje, ndërsa nxënësit detyrohen të ndjekin mësimin në kushte çnjerëzore.
Sipas denoncimit, kaldajat ekzistojnë, por nuk vihen në punë. Një vendim absurd dhe kriminal: kursimi i fondeve në kurriz të shëndetit të fëmijëve. Menaxhimi i institucioneve arsimore ka zgjedhur që fëmijët të sëmuren, në vend që të përmbushë një nga detyrimet më bazike të një shteti, sigurimin e kushteve minimale për arsimim.
Skandali merr përmasa edhe më të rënda në shkollën 9-vjeçare “Rilindja” në Kavajë, ku, pas ankesave të prindërve për mungesën e ngrohjes, përgjigjja e dhënë është shokuese dhe e papranueshme: shkolla ka kërkuar 35 euro nga secili prind për të ndezur kaldajat.
Pra, një institucion publik, i financuar nga taksat e qytetarëve, shantazhon prindërit financiarisht për të ofruar një shërbim elementar, të cilin ligjërisht është i detyruar ta garantojë. Ky veprim përbën jo vetëm abuzim flagrant, por edhe një formë të pastër të zhvatjes së qytetarëve.
Bashkia Kavajë, nën drejtimin e Fisnik Qoses, dhe Ministria e Arsimit, me në krye Mirela Kumbaron, janë sot simbol i dështimit institucional, i keqmenaxhimit dhe i përfitimit në kurriz të komunitetit. Heshtja dhe mungesa e reagimit nga ana e tyre i bën bashkëfajtorë në këtë skandal që cenon drejtpërdrejt të ardhmen e fëmijëve.