Prej disa ditësh, bregdeti dhe Lungomarja e Vlorës janë shndërruar në një vendgrumbullim mbeturinash dhe leshterikësh, të cilat deti i ka nxjerrë në breg pas reshjeve të fundit.
Në shëtitoren ku çdo ditë dalin për shëtitje qytetarët vlonjatë, por edhe qindra turistë, pamja dominohet nga mbeturinat dhe leshterikët e shpërndarë përgjatë vijës bregdetare. Turistët, të “mahnitur” nga ky realitet, shihen me celularë në duar duke dokumentuar ato që ironikisht po kthehen në “atraksionet” e reja të Vlorës.
Ndërsa kjo situatë vijon pa zgjidhje, vëmendja e kryebashkiakes Bruna Mersini duket se është e fokusuar te riorganizimi i strukturave bashkiake, konkretisht bashkimi i Drejtorisë së Pastrimit me atë të Gjelbërimit në një të vetme dhe dyfishimi i ngarkesës së punës për punonjësit.
Punëtorët e gjelbërimit protestuan sot përpara Bashkisë së Vlorës, duke kundërshtuar kontratat e reja të punës, të cilat sipas tyre i detyrojnë të kryejnë edhe punë pastrimi, përveç detyrave të tyre të mëparshme. Ata theksojnë se kontratat dhe kushtet e reja të punës nuk u janë prezantuar zyrtarisht dhe se janë vënë përballë ultimatumit: ose i pranojnë këto kushte, ose rrezikojnë largimin nga puna.
Sipas punonjësve, kontratat e reja parashikojnë edhe gatishmëri 24-orëshe për situata të ndryshme, pa garanci të qarta për të drejtat dhe kushtet e punës, ndërsa problematika e pastrimit të qytetit vijon të mbetet e pazgjidhur.